
Ingo Schulze në Tiranë nga 22-24 mars
Shkrimtari gjerman Ingo Schulze do të vizitojë Shqipërinë nga 22-24 mars 2010 me ftesë të Shoqatës kulturore gjermano-shqiptare „Robert Schwartz“. Ingo Schulze është bërë mjaft i njohur në Gjermani qysh prej debutimit të tij me „33 çaste lumturie“ si prozator me një numër vëllimesh me tregime dhe romanesh.
Romani i tij më i fundit „Adami dhe Evelina“ u botua vjet në shqip nga shtëpia botuese K&B në përkthimin e Ardian Klosit dhe u prezantua gjatë Tetorit Gjerman. Ky libër përshkruan fatet e disa të rinjve gjermano-lindorë në verën dhe vjeshtën e vitit 1989, pak para rënies së Murit të Berlinit dhe ribashkimit të Gjermanisë. Përveç ngjarjeve politike shkrimtari merret me temën e dashurisë e të mëkatit, duke hequr këtu paralele të holla me motivin biblik të Adamit dhe Evës.
|
|